Busy Ines
A breezy blog about serious topics that might concern one person or the whole universe. Short pieces to be enjoyed with your morning coffee or evening vodka, which will make you reflect on your life for at least one minute.
 
Lazy Ines
Busy’s easygoing, flirty, lazy alter ego. Writes whenever she feels inspired by any kind of thing, thought or theme. Mixes fiction with reality, writes in verse or prose, likes to stay passively alert.

Impressions
The space for book and film reviews, impressions from interesting events, interviews and meaningful interactions with exuberant people. 

© Copyright 2012 - 2017 BusyInes.com

Në vendin ku nuk të lënë të vdesësh

30/07/2015

Në vendin ku kronika e zezë mbulon të bardhën dhe ku thashethemi dhe lajmi i pambështetur tek asnjë fakt janë më të shpejtë se rrufeja, duket se disa nga mediat janë të vendosura për të fryrë pikërisht këtë pjesë të kulturës shqiptare, duke lënë jashtë, bashkë me gramatikën korrekte, çdo lloj respekti për personat e përfshirë në situatat e përshkruara. Ndonjëherë është më tragjike të shohësh se si trajtohet  (vetë-)vrasja e një vajze apo djali në moshën më të bukur, sesa vetë ndodhia, e cila do të shkatërrojë sidoqoftë familje të tëra. Jam e sigurtë që përpara se ta ketë marrë vesh familja e tyre e ndjerë, duke pasur parasysh edhe kohën që i duhet një njeriu për të përpunuar lajmin e tmerrshëm, gjysma e Shqipërisë dhe e Diasporës i njeh me emër, mbiemër e fytyrë viktimat. Ngaqë momenti kur një partner/e, baba apo nënë konfrontohet me lajmin nuk është botëlëkundes mjaftueshëm, në media fillojnë pa pikë e pa presje spekulimet per motivet e ngjarjeve. Sensacionalizmi e zhduk pothuajse fare humanizmin në kësi rastesh, si edhe konceptin, që në çdo vend e kulturë të botës respektohet njëherë dhimbja e njerëzve të afërt të viktimave.

Kjo pikëpamje nuk përputhet aspak me qëndrimin privat të shqiptarëve ndaj vdekjes, e cila konsiderohet si temë tabu dhe paraqet një burim të bollshëm të supersticionit. Mënyra e sjelljes së shumë njerëzve ndaj shoqërisë dhe ambientit tregon aftësinë e këtyre njerëzve për ta menduar veten e tyre në qendër të botës, duke ndrydhur e asgjësuar ndjenjën e vdekshmërisë. Në këtë mënyrë vdekja përbën një ndodhi që i përket vetëm të tjerëve. Si rrjedhim, fati i zi i disave bëhet tema e thashethemeve të fundit, në të njëjtin nivel me historitë e zhveshjeve dhe veshjeve të njerëzve pa rëndësi. Ky nivel pasqyrohet te shumica e mediave, të cilat jo vetëm që bëhen pjesë e rrethit të thashethemeve, por edhe i ushqejnë ato. Mjafton të lexosh seksionin e komenteve online dhe do ta kuptosh që ja arrijnë mëse mirë qëllimit të ndërgjegjshëm. Domosdo që lajmi është thelbi i mediave, por mënyra e trajtimit të lajmit bën ndryshimin midis gazetarisë objektive dhe asaj të sencacionit. 

Fakti që vetëvrasja e një vajze të re zuri e mbuloi faqet e para të disa mediave tregon rëndësinë që ju dha, jo trajtimit me respekt të lajmit, por spekulimeve ndaj tij. Vrasja akoma e pahulumtuar e një të riu në Itali u quajt direkt ‘therje’ nga disa gazeta, të cilat, nga vetë zgjedhja e fjalëve, betonojnë stereotipin e ‘kafshës’ shqiptare. Për të mos folur për komentet, në të cilat vrasësit shqiptarë u quajtën romë, serbë etj., vetëm sepse në konceptin e disave, vetëm shqiptarët duhet te pasqyrohen si popull i pastër e i ‘besës’ gjithandej në botë. Kjo qasje tregon prapë ndrydhjen e realitetit, në të cilin këta njerëz faktikisht shohin përditë krime të tematikave të ndryshme në televizor, përpara se të kenë mbaruar vezën e mëngjesit. Realiteti mund të ndryshohet veç pasi të jetë pranuar si i tillë.

Vetë eksperienca ime personale më ka treguar se sa shpejt përhapet një lajm që duhet të ishte privat në Shqipëri dhe se çfarë historish thuren ndaj ngjarjes në fjalë, përpara se vetë familjarët të kenë kuptuar ndodhinë. Kjo mund të quhet veçse një ndërhyrje harbute në jetën e dhimbjen e tjetrit, duke ushqyer paralelisht atë ndjenjë të njeriut, për të cilën gjermanofolësit kanë fjalën më të goditur: Schadenfreude (ndjenjën e kënaqësisë për fatkeqësinë e tjetrit/tjetrës). Unë jetoj në një vend gjermanofolës, por do të thoja që ky fenomen është kuptuar më mirë e gati perfeksionuar në Shqipëri; në vend që personat në fjalë t’i riktheheshin logjikës bazike të bashkëjetesës: çdo njeri ka një fund, nuk ka njeri pa probleme dhe respektoje e ndihmoje tjetrin, pasi një dite do të kesh ti vetë nevojë. 

Follow Busy Ines
Other posts