Busy Ines
A breezy blog about serious topics that might concern one person or the whole universe. Short pieces to be enjoyed with your morning coffee or evening vodka, which will make you reflect on your life for at least one minute.
 
Lazy Ines
Busy’s easygoing, flirty, lazy alter ego. Writes whenever she feels inspired by any kind of thing, thought or theme. Mixes fiction with reality, writes in verse or prose, likes to stay passively alert.

Impressions
The space for book and film reviews, impressions from interesting events, interviews and meaningful interactions with exuberant people. 

© Copyright 2012 - 2017 BusyInes.com

Biseda Vere

18/01/2013

"Impresionoheshim lehtë ne atëherë. Njerëzit kishin ikur me tufa kështu që sa herë luhej ndonjë këngë e vjetër emigrantësh te stacionet italiane ne qanim e përqafonim fort femijët e habitur e të tmerruar,” po thoshte Klara kur hapa derën. "Tani të gjithë kanë vënë koracë mbi koracë e nuk di më njeri ku ndodhet zemra. Përditë vriten njerëz, jo pa dashur, por flasim për prerje kokash me sopatë. Gruas, burrit, xhaxhait, komshies. Po të mos shtoheshim kaq shpejt si lepujt, do ishim specie në zhdukje. Në ketë mes, gjëja që më habit më tepër është se njerëzit duan akoma me pasionin më të madh të lindin qenie të reja në këtë shoqëri të sëmurë.”

Ajo mbajti frymën kur më pa te dera dhe piu një gllënjkë Cola për të lagur fytin. Klara, motra ime e vogël, ishte një vajzë e imët dymbëdhjetëvjeçare. Po të mos i pëlqenin fustanet rozë me dantella do ta merrnin ndoshta më seriozisht. Ato që po dërdëlliste ishin mëse të vërteta por fytyra e saj e hequr me sy të mëdhenj zhbirues i jepte pamjen e një fëmije mendjemadh. Problemi tjetër ishte që keto fjalë po i thoshte në dhomën e pritjes së apartamentit ku mami praktikonte profesionin e saj të gjinekologes. Një grua shtatzënë ishte zverdhur nga fjalimi i këtij orakulli të vogël, sytë e të cilit ishin ndalur mbi barkun e saj. Kur hyra brenda, ajri ishte elektrizues pak nga vapa e pak nga mendimet e grave të grupmoshave të ndryshme që ishin ulur ne formë gjysmë-rrethi përpara derës së dhomës së torturave, siç e quaja unë. Klarës nuk i erdhi mirë që duhet të ndante vëmendjen e viktimave me mua kështu që nxorri një libër në mënyre demonstrative e bënte sikur lexonte, po unë e dija që veshët e saj të hollë e të gjatë kishin lëshuar antenat në dhomë. Fytyrat e grave u kthyen nga unë. Disa më përshëndetën me zë të ulët, të tjerat duke bërtitur nga kënaqësia që po më shihnin. Gjysma e tyre më njihnin që bebe, kur më merrte mami me vete nëpër vizita.

"Viola, o bukuroshe! Paske ardhur ti?” shqeu sytë komshija e katit të parë, Nazirja.
"Erdha dje,” qesha unë dhe iu ula afër. Ajo më përqafoi e më puthi fort. Mbante erë kosi të thartuar, por duhet ta kishte nga gjoksi gjigand që i kishte dhënë qumësht pesë fëmijëve të saj grindavecë.
"Si je ti, ç’thotë shkolla?”
"Mirë, mbarova këtë vit. Tani po mendohemi për universitet.”

Nazirja po më shihte me vëmendje. E ndjeva se si sytë e saj rrëshqitën nga buzët e mia deri te sandalet ngjyrë ari që kisha blerë gjatë një fundjave në Paris. Mbi kurrizin tim pasqyroheshin vështrimet e atyre që po ndiqnin bisedën tonë.

"Bravo!” bërtiti Nazirja. "Je gocë e zgjuar ti, po s’do mend me atë mama që ke!” Thirrjes së fundit i shtoi edhe pak zë me shpresën që ta degjonte mami. Asnjëherë s’e kisha kuptuar pse puna apo zgjuarsia ime figuronte vetëm në rrjedhojë të gjenetikës. Njerëzit më pyesnin ç’kisha bërë në shkollë dhe jashtë saj dhe sa herë i tregoja ndonjë histori interesante, lavdërimet i merrnin prindërit e mi. Kur shihnin fustanet që vishja në ballo, fillonin më dërdëllisnin për elegancën e mamit duke më shpjeguar dhe detajet më të vogla të garderobës së saj që unë e njihja më së miri.  

"Ka ndonjë të re nga fusha e dashurisë?” më shkeli syrin Mirela, parrukierja e mamit. Të gjithë sytë ishin drejtuar nga unë. Edhe Klara uli librin.
"Ka,” nënqesha unë e lumtur që doli një fushë ku nuk hynte as mami as babi.
"Nuk besoj,” tha Klara. "Mbrëmë po mbushte një aplikim për manastir.”
"Zemra e vogël,” buzëqeshi Nazirja pa mendje.
"Është...” fillova unë po dera e dhomës së torturave u hap, nga e cila doli një vajzë e re duke qarë. Pas saj doli mami me fytyrë të merakosur.
"Mos qaj, Lejla.” Po thoshte mami. "Se nuk është fundi i botës. Mamaja jote do të të kuptojë.”

Lotët e shumtë të Lejlës avullonin sa dilnin. Sapo mbylli derën filluan pëshpëritjet. E pashë që mamit i vinte keq dhe e dija që pamundësia për të ndihmuar në kësi rastesh e mundonte. Mami ishte një femër e brishtë dhe e shkurtër, por mangësitë trupore i kompensonte me një shkathtësi të jashtëzakonshme si edhe me një tufë kaçurrelash të dendura. Kur e linim të takoheshim dhe unë mundohesha ta spikasja nga larg, në fillim dukej sikur afrohej vetëm një kaçube me flokë.

"Paske ardhur ti shpirt?” qeshi ajo. Dukej e lodhur nga vizitat e shumta. "Merre Klarën dhe ikni kur të doni në shtëpi se unë kam akoma punë siç e shihni.” Gratë buzëqeshën me nervozitet.

"Të rrijë edhe pak,” tha Nazirja, "se na kënaqi!”
"Sa është rritur, Monda!” foli Mirela dhe unë prapë u bëra e padukshme. Të gjitha fjalët, komplimentet e lavdërimet ju drejtuan mamit, e cila ja ridrejtonte folëses me falenderimet më të përzemërta.
"Hyr Mirela,” tha ajo. "Rradha jote.” A mendonte vallë mami për pjesët intime të Mirelës kur kjo i priste flokët?

"Yllo,” m’u drejtua Nazirja. "Po më tregoje historinë e dashurisë. Meqë na iku dhe telenovela sot.”
"Mos!” tha nje grua e shëndoshë e faqekuqe. "Nuk morëm vesh a ja dha ai asaj.”
"Po ajo sikur u zhduk,” u habit një tjetër.
"Jo, jo, atje është, e fshehur,” foli Nazirja me vetësiguri. "S’ka për të ardhur ai deri javën tjetër, mos kini merak.”
"A thua e ka vëlla?” pyeti faqekuqja me interes.
"Si e paska vëlla, mi! Nuk e pe pardje ti?”
"Uaaa,” i ra pika faqekuqes, "unë e paskam kuptuar gabim! Ka telenovela andej nga ju?”
"Nuk e di,” thashë unë. "Nuk kam televizor.”

Në dhomë u degjuan klithma të mbytura sikur thërriste njeri nga fundi i pusit.
"Po si ja bën ti pa televizor?” pyeti një vajzë me një fytyrë si mi kanalesh.
"Lexoj,” u përgjigja unë, "dal me shoqërinë, shkoj në kinema. Shkoj në grup kërcimi, luajmë teatër në shkollë. Luaja, se tani kam mbaruar.”
Miu picërroi sytë.

"Kercim, teatër.” tha Nazirja. "Ti e di ç’thonë për artistët.” Disa gra qeshën me të madhe.
"Mua më pelqen,” tha miu me zë të ngjirur. "Bëjnë gjëra me vlerë. Jo si këtu. Pi bar, merr drogë, vrit vëllanë.”
"Pse andej nuk marrin drogë, kujton ti?” tha faqekuqja dhe më pa me qesëndi.
"Ka dhe nga ata që marrin drogë, por jo te grupi im,” u hodha unë.
"Eh, janë për qejf andej,” tha Nazirja. "Kanë të dashur...”
Mes saj dhe faqekuqes u shkëmbyen vështrime kuptimplota, ndoshta të kopjuara nga telenovelat.

"Televizori të bën budalla,” u dëgjua zëri i Klarës. "Është me statistikë që atyre që shohin shumë televizor i trashet truri dhe trupi. Telenovelat janë komplet pa kuptim! Ku keni parë ju që një grua të martohet më një burrë, të ndahet nga ai, të martohet me dajën e tij, të ndahet nga ai, të shkojë me vëllanë e burrit, pastaj me djalin e burrit nga nje martesë e mëparshme?”
Sytë e saj fiksuan gruan shtatzëne, e cila u zverdh përsëri.

"E pra,” tha faqekuqja, "e ku i prodhojne këta filma? Jashtë shtetit! Nuk sheh këtu te ne kështu gjërash!”

U hap dera dhe doli Mirela e kënaqur. Mami nxorri kokën.
"Akoma këtu ju?”
"Po bëjmë muhabete femrash,” tha Klara dhe gratë qeshën.
"Hajde Nazire!” tha mami.
"Cfare gocash që ke, doktoreshë!” tha Nazirja duke u çuar. "Marshallah!”
Mami i dhuroi një buzëqeshje të lodhur.

"Mirupafshim Viola,” u kthye Nazirja e më përqafoi. E dehur nga aroma e kosit arrita të dëgjoja: "Dhe nderoje mamin!”

Follow Busy Ines
Other posts