Busy Ines
A breezy blog about serious topics that might concern one person or the whole universe. Short pieces to be enjoyed with your morning coffee or evening vodka, which will make you reflect on your life for at least one minute.
 
Lazy Ines
Busy’s easygoing, flirty, lazy alter ego. Writes whenever she feels inspired by any kind of thing, thought or theme. Mixes fiction with reality, writes in verse or prose, likes to stay passively alert.

Impressions
The space for book and film reviews, impressions from interesting events, interviews and meaningful interactions with exuberant people. 

© Copyright 2012 - 2017 BusyInes.com

Festa

27/01/2014

Znj. Shabani hodhi sytë përreth. Tavolina dukej tamam si te revista ‘Amvisa’. Një tavolinë katërkëndëshe prej mermeri me pika rozë, e mbuluar me një çentro gati transparente prej mëndafshi të bardhë, e cila simulonte dhe borën që pretendohej të binte për Vit të Ri. Apo për Krishtlindje. Ajo i ngatërronte këto punët e festave sepse i pëlqenin të gjitha dhe ajo mundohej të festonte secilën duke përzjerë traditat dhe simbolet. Viti i Ri kishte qenë festa e saj e preferuar në fëmijëri. E tradhëtonte kujtesa kur mundohej te vinte përmend në kishte qenë e vetmja datë që festohej në ato kohëra. Kohët të paktën kishin ndryshuar dhe ajo ndihej e lumtur për këtë. Rreth saj shpalosej për sytë e tërë botës pasuria e të shoqit. Divanet prej lëkure, lampadarë me gurë të çmuar, apo porcelani fin në bufenë baroke, të krijuar apostafat për dhomën me hapësirë të ndenjes. Pecetat e kuqe në gotat prej kristali shkonin me qirinjtë elegantë dhe poçat e pemës së Vitit te Ri që ajo e kishte zbukuruar me duart e saj. Diçka shumë e rëndësishme mungonte, por ajo nuk po ja vinte dot gishtin. Në dhomë hyri pastruesja.

-Zonjë, unë jam në mbarim e sipër. Më ka ngelur veç shkalla përpara derës. 
-Shumë bukur, Leta, - buzëqeshi zonja me ëmbëlsi. Kur të mbarosh, eja të ngremë një gotë shampanjë. Eshtë Viti i Ri. 
 
Në fytyrën e përvuajtur të Letës u krijuan rrudha kënaqësie. Ajo mbylli derën butë-butë. Jashtë, fëmijët plasnin kapsolla. Asaj ju kujtuan fishekzjarret që kishte mbledhur në ballkon per ti hedhur në mesnatë me miqtë. 

-Odisea! Bërtiti ajo me fytyrë nga dera. Odisea!

Dy kanatet e derës u hapën me dhunë e u përplasën pas murit. Bufeja me porcelanet u drodh. Një adoleshent me fytyrë tejet të kuqe, i veshur me xhinse të bardha, hyri me inat.

-Ça ka? Tha ky i fundit duke ngrënë fjalët. 

Zonja rrotulloi sytë. 

-Sa herë të kam thënë të mos përplasësh dyert, biri im. Të kemi lënë shtëpinë në Durrës për ta shkatërruar. 
-E mirë, mirë, qetësohu, - tha Odisea me padurim. Se kam njerëz në dhomë dhe lamë lojën përgjysëm.
-Kush është? Tha e ëma me qortim, por në sytë e saj pasqyrohej krenaria për djalin e saj të kërkuar. 
-Një gocë, nuk e njeh ti. Ça do, pra?
-Fishekzjarret janë në ballkon? 
-Nga ta di unë!
-Ke harxhuar ti ndonjë?
-Jo. Vetëm ti merresh me fishekzjarre, o ma. Ku është babi?
-Nuk ka ardhur akoma.
-Do vijë? Tha djaloshi dhe ngriu. Nuk kishte dashur ta hapte këtë temë.

Ndihej sikur kapsollat po pëllcisnin në mes të dhomës. 

-S’do mend që do vijë, - buzëqeshi e ëma. Eshtë Viti i Ri.
-E di, e di, tha djali me qetësi. E thashë vetëm se kohët e fundit punon çik si shumë. Dhe ti bëhesh merak. Nejseeee, ke një cigare?

Znj. Shabani vështroi fytyrën e kuqe e indiferente të të birit, pshehrëtiu dhe hapi një sunduk të vogël të artë. Nxori dy paketa me cigare dhe ja drejtoi atij. 

-Vetëm këto! Tha duke e zhbiruar. Dhe dëgjova më që ke marrë drogë...
-Jo, o ma, ça droge. Do dal tani.
-Nuk do të festosh me ne? U habit e ëma.
-O maa, ça shekulli ke lind ti aman? Pyeti Odisea dhe rregulloi flokët e drejtuara me xhel. Mori paketat dhe doli pa zë. 

Znj. Shabani pa orën. Për një orë do të vinin të ftuarit e parë. Anisa kishte bërë dietë e kishte bërë dhe gjoksin, i cili dukej si ai i statujave të Sfinksit. Nuk i pëlqenin vështrimet e të shoqit në prani të shoqes së saj të ngushtë. Të shoqes së saj të ngushtë, të divorcuar. Ajo pa përreth dhe ju kënaq syri me ndriçimin e dhomës.

Leta trokiti lehtë dhe hyri në dhomë e veshur gati për të dalë pas asaj dite të gjatë pune. Znj. Shabani insistoi që ajo të ulej me të në sallon për një gotë shampanjë. Eshtë Viti i Ri, përsëriste ajo, është Viti i Ri. Leta pranoi duke u përdredhur në shenjë turpi dhe ato u ulën përballë njëra-tjetrës. Znj. Shabani ishte e sigurtë që Leta po i shihte me lakmi flokët e saj bionde të sapolyera e rregulluara. Letës i kishin rënë flokët gjatë menopauzës. Nga puna e shumtë dhe e rëndë, ajo dukej gjithnjë e lodhur dhe e zbehtë, por atë mbrëmje ajo kishte një shkëlqim të pazakontë në fytyrë. E kishte vallë nga pula e pjekur që i kishte falur ajo?  Leta theu heshtjen e para e foli me zë të ulët.

-Faktikisht, zonjë, unë ju jam mirënjohëse për diçka të veçantë që ka ndodhur në jetën time. Ju kujtohet kur ju flisja ndonjëherë për burrin tim të papunë, i cili sheh tek unë vetëm një gjë transparente për tu hedhur poshtë? I cili nuk interesohet a jam gjallë, po vetëm për lekët që i sjell në shtëpi? 
-Po, - tha zonja, jo pa njëfarë kurioziteti.
-Ju më thatë atëherë, shih jetën tënde, dil, gjej ndonjë shok. Ne qeshëm, por unë u mendova gjatë. Unë kam vite që mundohem ta ndryshoj burrin tim, ta bëj më të gjallë. Dhe ju thatë që burrat nuk ndryshojnë. Sa e vërtetë është! Atij një tas groshë e televizori i mjaftojnë për të qenë i lumtur. 

Zonja u mbështet në kolltuk e piu gotën me fund. Një valë ngrohtësie ju përhap në trupin e mbuluar me fustan të bardhë. Kanarinat e vizatuara mbi perdet e sallonit kërcenin rreth kokës së palëvizur të Letës. Pastruesja nuk po fliste më, por faqet ju skuqën e sytë i ndriçonin si kristali i gotave. 

-Edhe? Pyeti zonja me padurim. Ç’ka ndodhur pra?
-Kam një të dashur tani, zonjë, - cicëroi Leta si vajzë e vogël. Kam të dashur.

Znj. Shabani nuk po arrinte të lidhte dot qeskat e kuqe nën sytë e palyer të Letës dhe pulën e falur brenda çantes së madhe mbi gjunjtë e saj me lajmin e sapodëgjuar.

-Si, si? U kollit ajo. 
-Falë jush, zonjë, unë pranova një ndjenjë të re kur m’u dha rasti. Pas një jete të tërë, ku unë vetëm i kam shërbyer familjes time dhe të tjerëve, unë kam vendosur të merrem me veten time, me Letën. Më shkruan mesazhe, më dhuron lule... Eshtë roje burgu. Nuk ka familje dhe është aq i dashur me mua! Nuk arrij dot ta besoj.
-Prit, prit pak. E këto gjëra ti kam thënë unë? 
-Nuk e mbani mend, zonjë? Hera e fundit që folëm ishte kur erdhët nga operacionet.

Znj. Shabani donte të kafshonte buzën e poshtme, por u kujtua që duhej kujdes. Nuk ishin më buzët e mëparshme.

-Ne folëm gjatë dhe ju u treguat shumë bujare me keshillat tuaja. Folët për trajtimin që i bëhet femrave, për ...
-Pusho! Si guxon? Si guxon ti qënie e pamoralshme! Si guxon të thuash që kam qenë unë ajo, që kam qenë unë ajo që të kam thënë, që të kam thënë që femra duhet, duhet. 

Në sytë e Letës trokiti alarmi.

Follow Busy Ines
Other posts