Busy Ines
A breezy blog about serious topics that might concern one person or the whole universe. Short pieces to be enjoyed with your morning coffee or evening vodka, which will make you reflect on your life for at least one minute.
 
Lazy Ines
Busy’s easygoing, flirty, lazy alter ego. Writes whenever she feels inspired by any kind of thing, thought or theme. Mixes fiction with reality, writes in verse or prose, likes to stay passively alert.

Impressions
The space for book and film reviews, impressions from interesting events, interviews and meaningful interactions with exuberant people. 

© Copyright 2012 - 2017 BusyInes.com

Falemnderit, kjo fjalë e vështirë

10/21/2013

Duhet ta ketë fajin gjatësia e fjalës. Njerëzit e paduruar nuk besoj të arrijnë dot deri në fund kur mundohen ta shqiptojnë dhe, në fund të fundit, nuk duan të thonë vetëm ‘falem’. Në gjuhët më të përdorura nga shqiptarët, falemnderit përkthehet me fjalë të shkurtra e melodioze. Thanks, merci, grazie, danke. Edhe në gjermanisht është më e këndshme! Për të mos folur për kombinimin e shkronjave ‘m’, ‘n’ dhe ‘d’ në mes të fjalës. MND. Sikur ta bllokon fytin. Të bëjmë një peticion e ta ndryshojmë, se përndryshe nuk e kuptoj pse është kthyer në fjalë të rrallë të gjuhes shqipe.

Tema e dënimit të kësaj fjale me burgim të përjetshëm ka qënë gjithmonë eksplozive në diskutimet e bëra me miq në Tiranë, por sidomos me shqiptarë e shqiptare të diasporës. Shqiptarët që jetojnë me vite në perëndim, duke qënë pikë referimi për shqiptarë të tjerë, të cilëve i duhen hotel dhe muhabet kur vijnë për turizëm/kontrolle mjekësore/studim etj., ndihen shpeshherë të fyer nga shkelja e disa normave bazë të komunikimit. Falënderimi, jo vetëm që është normë shoqërore, e cila u mësohet fëmijëve që në vegjëli, por mbart edhe një bagazh të konsiderueshëm emocional. Kur dikush të ndihmon në pikë të hallit, ai/ajo ndjen kënaqësi në vetvete që ka bërë një mirësi. Duke e falënderuar për nderin, ti i përforcon ndjenjën dhe vërteton pozitivitetin e aktit. Mosfalënderimi i pasqaruar tregon nivel të ulët inteligjence dhe edukate, arrogancë si edhe vetëkuptueshmëri të aktit, duke e kthyer tjetrin në skllav dhe jo mik. Mazokistët mes nesh ndoshta do të gëzoheshin për një reagim të tillë harbut, por çdo njeri tjetër do të fyhej me të drejtë.

Ka plot histori të bukura me bashkatdhetarët tanë dhe ato bien në sy sepse janë statistikisht të shpeshta. Po të qëllonin një apo dy herë nuk do të habitej njeri, por mesa duket janë të rrallë/a ata/ato që njohin konceptin e reciprocitetit. Eshtë e qartë që kur vjen një person për herë të parë në një vend të ri, të themi për studim, është legjitime të gjejë një kushëri të largët që ta ndihmojë. Kushëriri i largët, i cili motivohet edhe nga kodi i vjetër shqiptar i mikpritjes, i siguron tjetrit letrat e qëndrimit, dhomë në shtëpi studentësh etj. E fton për dreka e darka në shtëpinë e tij dhe e nxjerr shëtitje për të parë qytetin. Ndërkohë kushëriri punon në ndërtim, ka dy fëmijë dhe mposht lodhjen e tij për t’i bërë qejfin të riut. Këtij të fundit jo vetëm që i duket e vetëkuptueshme që kushëriri të merret me të, por tregohet edhe i pakënaqur me dhomën. Brenda një jave gjen një vend tjetër dhe zhduket nga faqja e dheut. Në numrin e celularit të kushëririt nuk vjen një herë të vetme një mesazh falënderimi. Kaq e vështirë qënka vallë të gjesh dy minuta e t’i shkruash tjetrit një fjalë të vetme?

Ka edhe më keq. Njerëz te sëmurë që vijnë për t’u kuruar e që kur kthehen në vendlindje përhapin fjalë të padrejta për mikpritësit. Njerëz që vijnë për të studjuar e nuk kanë sukses. Për të fshehur paaftësinë e tyre, fajësojnë të tjerë që nuk mund t’i përkushtoheshin 24 orë. Njerëz që biznesin, apo edhe vetë jetën, e gëzojnë prej ndihmës që i ka dhënë një person tjetër me dashamirësi e pa kushte dhe që për shenjë falënderimi ndërrojnë anën e rrugës. E ka fajin gjatësia e fjalës.

Follow Busy Ines
Other posts